“Nuk po dalin aq shpesh në emisione”, Kurti pyet opozitën: Çka po bëni në kohën e lirë

0

Pas mbledhjes së Qeverisë dhe konferencës së rregullt për media, kryeministri  Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kabinetit Qeveritar, organizoi pritjen e fundvitit për ekipet e medieve, gazetaret e gazetarët që e kanë përcjellur punën e Qeverisë gjatë gjithë vitit dhe që kanë raportuar nga katër komunat në veri të vendit.

Kurti para gazetarëve tha se “ky vit, krahas së qeni i suksesshëm, ka qenë edhe sfidues për të gjithë neve. Edhe për juve, edhe për neve, edhe për qytetarët e Republikës. E një falënderim i veçantë për gazetarët e terrenit, kameramanët dhe ekipet mbështetëse, të cilët kanë raportuar nga terreni edhe në situata të vështira, e veçanërisht në veri të vendit tonë”.

“Mbase jeni duke menduar për ndonjë kritikë a sugjerim, që përherë janë të mirëseardhura. Ajo që shpesh e dëgjoj është “pse nuk po dilni më shpesh në intervista”. Ne po bëjmë maksimumin që të jemi të pranishëm gjithandej, edhe në studiot e juaja, atëherë kur mundemi në emisione, por puna po vijon me ritme të larta, e shpeshherë na e pamundëson diçka të tillë. Por, si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam qenë shumë i interesuar gjatë këtyre edhe pak tri viteve, që sa më shumë ministrat të jenë në ballë të detyrës për fushëveprimtari të tyre, e unë si kryeministër të jem i pari i ministrave që më shumë bashkërendon sesa që zëvendëson ata”, tha Kurti.

“Opozita në anën tjetër ka shumë kohë të lirë, ndërsa po dëgjoj që as ata nuk po dalin edhe aq shpesh në emisione, e mbase kjo ja vlen të studiohet se çka po bëjnë në kohën e lirë”, ka pyetur ai.

Kurti tha se në pritjen e vitit të kaluar, disa prej gazetarëve nuk kanë  qenë të pranishëm, “sepse keni qenë me detyrë në veri të Ibrit. Më vjen mirë që sot jemi bashkë edhe me gazetarët të cilët kanë raportuar prej andej”.

“Në këtë fundvit, teksa reflektojmë për vitin që po e lëmë pas, le të çmojmë praninë e njëri-tjetrit, dhe le të kujdesemi sa më shumë për njëri-tjetrin në vitin e ri. Viti 2024 do të na përcjellë me të njëjtin volum të punës. Urojmë dhe punojmë për sa më shumë suksese të reja, dhe zhvillim e progres për vendin e për qytetarët tanë. Ndërkaq, juve ju uroj punë të mbarë në misionin tuaj aq të rëndësishëm për demokracinë, informimin korrekt dhe të shpejtë”, tha ai. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *