Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja

Modernizimi ushtarak në Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht çështje pajisjesh. Ai reflekton garën mes fuqive të mëdha për ndikim.

Serbia manovron me armë nga Perëndimi, Kina, Rusia, ndërsa fqinjët e saj mbeten kryesisht të pajisur me teknologji perëndimore.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, thotë se ky kombinim e ka shndërruar Ballkanin prej kohësh në një miniaturë të rivalitetit global. Dhe, pasojat e këtij pozicionimi shtrihen përtej fushës së mbrojtjes.

“… sepse siguria sot nuk është vetëm çështje mbrojtjeje. Siguria është çështje infrastrukture, teknologjie, politike, ekonomike dhe ushtarake. Marrë parasysh këto, raportet që i ka krijuar Serbia [me Rusinë dhe Kinën] janë çështje e një shqetësimi jo të vogël”, thotë Mediu për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.Harmonizimi i modernizimit ushtarak me synimet e deklaruara euroatlantike mbetet çështje e diskutueshme edhe për Nikolla Lluniqin, konsulent në Beograd për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Do të ishte e pritshme që – nëse të gjitha vendet synojnë të anëtarësohen një ditë në NATO dhe sigurisht në Bashkimin Evropian – struktura evropiane e sigurisë të ishte plotësisht e përputhshme. Kjo nënkupton që blerjet ushtarake të koordinohen. Por kjo, normalisht, nuk ndodh në rajonin tonë, për shkak të historisë sonë të papërfunduar dhe narrativëve shpesh nacionalistë dhe agresivë”, thotë Lluniq.Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s; Kosova dhe Bosnje e Hercegovina aspirojnë të anëtarësohen, ndërsa Serbia – edhe pse ushtarakisht neutrale – është pjesë e programit të NATO-s “Partneriteti për paqe”.

Vendet anëtare të NATO-s, në parim, kanë armatim të dizajnuar ose të përshtatur që të jetë i ndërveprueshëm. Kjo do të thotë se pajisjet duhet të flasin “gjuhën” e njëjtë teknologjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *