Haradinaj në Pressing e quan Kurtin mashtrues, thotë se është për bashkim kombëtar

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing Zgjedhor në Televizionin 7.

Haradinaj mbrëmë sërish e ka quajtur liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, mashtrues kurse partinë e tij me qasje komuniste. Ai ka thënë se është pro bashkimit kombëtar teksa përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga ENQA e ka cilësuar si pasojë e politizimit të kësaj të fundit, shkruan Gazeta Express.

Ai ka thënë se nuk i beson Albin Kurtit, madje Haradinaj nuk hezitoi ta quajë Kurtin mashtrues.

“Unë ju siguroj se Kurti është mashtrues, nuk mund t’i besoj”, tha Haradinaj.

Ai kujtoi kohën kur Kurti nuk pajtohej me kombëtaren dhe flamurin e Kosovës.

“Kujtojmë kohën kur ai ofendojke njerëzit nëse dikush ka folur për kombëtare apo për flamurin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.  

Megjithatë, Haradinaj pranoi se Kurti ka evoluar kohët e fundit.

“Tash vërejmë se ka evolu”, shtoi Haradinaj

Haradinaj ndër të tjera në këtë emision ka folur edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është komuniste”, ka thënë Haradinaj.

Tutje ai ka folur edhe për planin ekonomik të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nëse i sheh pikëpamjet ekonomike të Albin Kurtit duket sikur ato janë të kohëve të kahershme dhe jo të kohëve tona”, ka shtuar ai.

Ai ka folur edhe për kandidaten për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.

“Vjosa ka sjellë një risi në këto zgjedhje. Por të jemi real ato gjëra që po premton ajo nuk janë reale. Ajo po thotë se do çkapë vetë shtetin, ndërsa vetë LDK-ja bën pjesë në kapjen e shtetit”, shpjegoi ai.

Haradinaj në emision ka folur edhe për përjashtimin e Kosovës nga ENQA, që erdhi pas përjashtimit nga EQAR. Haradinaj ia lë fajin për këtë ndikimit të politikës në Agjencinë e Akreditimit.

“Agjencia e Akreditimit nuk është dashur të jetë e politizuar”, ka thënë Haradinaj.

“E patë se një anëtar i saj kandidoi për deputet nga radhët e LDK-së. Xhavit Rexhaj apo si e pat emrin. Andaj mendoj se kjo ka ndikuar te përjashtimet nga agjencitë botërore”.

Kandidati për kryeministër nga AAK-PSD ka folur edhe për bashkimin kombëtar.

Kur është pyetur se a është pro bashkimit kombëtar ai është përgjigjur thjesht.

“Po”, ka thënë shkurt Haradinaj.

Tutje ai ka thënë edhe se e konsideron kombin si më të rëndësishëm se fenë përkundër se edhe këtë të fundit ai e konsideron të rëndësishme.

Haradinaj, gjithashtu, ka thënë se beson në Zot. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!