Drejtori i Fenerbahces e zbulon ofertën 20 milionëshe për Muriqin

Pas interesimit të Tottenhamit, Manchester Unitedit dhe Juventusit për sulmuesin kosovar të Fenerbahces, Vedat Muriqin, drejtori sportiv i klubit turk, Damien Comolli, ka zbuluar se tashmë ka marrë ofertë prej rreth 20 milionë euro për ta shitur kosovarin në janar.

Mediat turke raportuan dje se, pas Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, edhe Juventus ka shprehur interesim për sulmuesin kosovar, i cili po shfaq formë të jashtëzakonshme me Fenerbahçen dhe Kombëtaren e Kosovës.

Sipas mediumit turk “Fanatik”, një ekip skautësh të Juventusit do ta përcjellin nga afër në stadium lojën e Vedatit në derbin turk kundër Galatasarayt dhe më pas do t’ia përcjellin informatat trajnerit Maurizio Sarri.

E pas këtyre lajmeve, edhe vetë drejtori sportiv i Fenerbahces e ka pranuar se tashmë ka marrë ofertë rreth 20 milionë euroshe për ta shitur Muriqin gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Emrin e skuadrës nuk mund ta them, por mund t’ju them se oferta ka ardhur për afatin kalimtar të janarit dhe është rreth 20 milionë euro”, zbuloi Comolli.

Gjatë 5 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën turke këtë sezon, Muriqi ka realizuar 3 gola dhe e ka dhuruar një asistim.

Ai ishte mbresëlënës edhe në dy ndeshjet e Kosovës për kualifikim në EURO 2020 gjatë muajit shtator, kundër Republikës Çeke dhe Anglisë, pasi që kontribuoi me dy gola dhe dy asiste në ato dy ndeshje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!