Merkel e Macron sytë nga Kosova: Dialogu të vazhdojë, taksa të hiqet

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, vendimin për caktimin e datës për një takim të radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta marrin varësisht se si do të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar nga zyra e Qeverisë Federale të Gjermanisë, duke thënë se dëshirojnë një kthim të shpejtë në dialog dhe se mirëpresin një vendim për heqje të taksës.

Derisa nga Bashkimi Evropian s’kanë asnjë koment për zhvillimet e fundit në Kosovës dhe për atë se si duhet vepruar në vazhdimësi sa i përket normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, nga Berlini zyrtar kanë një qëndrim.

Ata thonë se janë duke i përcjellë për së afërmi bashkë me Francën zhvillimet e fundit në Kosovë pas largimit të Haradinajt nga posti i kryetarit të Qeverisë, dhe se vendimin për një takim të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrin varësisht se si rrjedhin ngjarjet në Prishtinë.

“Gjermania dhe Franca janë duke ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë. Një vendim i mundshëm për një takim do të merret bazuar në rrethanat që do të krijohen”, ka thënë për Gazetën Express një zyrtar për media nga Qeveria e kancelares Angela Merkel.

“Ne mbështesim një kthim të shpejtë në dialogun e drejtuar nga BE-ja për normalizim të raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës. Do të mirëprisnim gjithashtu edhe heqjen e taksës 100 % që Kosova ka vendosur ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, kanë potencuar nga zyra e kancelares Angela Merkel për Gazetën Express.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!