Nënkryetari i PDK’së i reagon Mustafës: Ju keni vetëm fjalë, Qeveria s’rrëzohet kur frikësohet lideri i opozitës

Zëvendëskryetari i PDK’së, Uran Ismaili, ka thënë se lideri aktual i LDK’së është i frikësuar dhe ka vetëm fjalë kur përmend mundësinë për ta rrëzuar Qeverinë.

Ai ka thënë se LDK dhe udhëheqësi i saj kanë vetëm fjalë dhe kalkulime. Asgjë më shumë .

“Ju keni vetëm fjalë dhe kalkulime politike. Në fakt, nuk keni pasur kurrë më shumë sesa kaq”, ka shkruar Ismaili, në një reagim në Fb.

“Isa Mustafa po thërret për rrëzimin e Qeverisë, por po harron se Qeveria nuk mbahet gjallë kur udhëheqësi i saj dorëzohet, siç bëri ai me Qeverinë që drejtonte. Qeveria nuk rrëzohet as kur kryetari i opozitës frikësohet të thërret seancë për mocion mosbesimi. Fjalët nuk rrëzojnë qeveri”, ka shtuar ai.

Ismaili ka thënë se Isa Mustafa dhe LDK-ja duhet ta kuptojnë se problemet e LDK-së nuk janë edhe shqetësime të qytetarëve.

“LDK-ja çdo ditë po dëshmon se është joserioze me opsionin e vet si alternativë qeverisëse. Paaftësia e saj për të udhëhequr brenda partisë po tregon se ajo nuk është e gatshme të udhëheq as vendin. Koalicioni i Isa Mustafës i proklamuar me LVV-në dhe temat e proklamimit me fjalët e luftës kundër korrupsionit dhe flirtimi me njerëz partiakë të korruptuar janë ogur i zi për pikën kritike ku ka mbërrirë LDK-ja”, ka thënë ai.

Nënkryetari i PDK’së ka thënë se Isa Mustafa s’ka kurrëfarë zgjidhjesh për Kosovën përveç idesë për të marrë pushtetin në kohën kur partinë e ka të përçare.

“LDK-ja e përçarë thellë, por e mbajtur e bashkuar nga ambicia për ta marrë pushtetin bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ofron as afër zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Në situatën ku është zhytur ajo nuk mund të krijojë front në luftë kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.

Ismaili që është edhe Ministër i Shëndetësisë ka marrë shembuj të kohës së LDK’së kur e ka udhëhequr shëndetësinë. Ka thënë se udhëheqja e LDK’së kishte lënë pa barna të sëmurët e të varfërit.

“Vetëm në ministrinë që unë e drejtoj e kam parë nga afër se si qeverisja e LDK-së nën udhëheqjen e Isa Mustafës i ka trajtuar njerëzit më në nevojë. Politikat e tyre kanë qenë më se të dëmshme për qytetarin. Të sëmurët e varfër kanë paguar ilaçe shumëfish më shtrenjtë dhe kanë marrë shërbime shëndetësore që nuk përkojnë me dinjitetin njerëzor. Udhëheqja e juaj ka prodhuar keqmenaxhime të barnave dhe ka sjellur spitale pranë rrënimit etj. Dëmi që LDK-ja i ka bërë vetëm shëndetësisë është i pallogaritshëm. Kemi ndalur çmimet abuzive që i keni lejuar ju. Kemi shtuar shërbimet shëndetësore. Jemi duke kthyer shëndetësinë që ju me qeverisje të keqe ia morët popullit”, ka thënë Uran Ismaili.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!