Kurti në Mynih: Dialogu të bëhet pa harta, dhe pa presidentë rreth hartave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e Sigurisë të zhvilluar sot në Mynih ka thënë se dialogu duhet të bëhet pa harta, dhe pa presidentë rreth tyre.

Ai thotë se dialogu duhet të përgatitet mirë dhe duhet të jetë me parime.

“Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në regjionin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jenë tre parime në këtë dialog për të shëruar plagët. E para – s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta – s’ka dialog me harta, dhe së treti – pa presidentë rreth hartave”, ka thënë Kurti, transmeton Koha.net. 

Ai tutje ka thënë se pas 20 vjetësh ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”, ka thënë Kurti.

Parimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozon për dialogun me Serbinë:

Së pari: s’ka marrëveshje pa dialog.
Së dyti: s’ka dialog me harta.
Së treti: s’ka harta kur janë rrotull presidentët.

Kjo e fundit ngjalli qeshjet e të pranishmëve, një pjesë se pajtohen që vizatimi presidencial i hartave ishte absurd, e dikush se dikur e mbështeti atë vizatim.

Veç kësaj, ai la të kuptohet se 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk u nevojitet një mini-shengen, pasi ende nuk janë në atë fazë të zhvillimit ekonomik e institucional. Në vend të mini-shengenit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një mini-Marshall-plan.

Sa i përket Serbisë, kryeministri Kurti përcolli mesazhin se vendet që e ndihmuan Kosovën të çlirohej nga Serbia, duhet të ndihmojnë edhe Serbinë të vetëçlirohet nga Kosova. Kosova është kurth për Serbinë, politikanët e atjeshëm e përdorin këtë kurth për të mbuluar keqqeverisjen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!