Çfarë ka alarmuar LDK-ja para 4 vite për fajdet

Emri i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, jo pak herë përmendet nga protagonistët e “Aferës së Fajdeve” në videot e publikuara.

Videot janë realizuar në pjesën e parë të vitit 2012, në zyrën e biznesmenit Faton Dalladaku, raporton KTV.

Aty dëgjohen Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi duke përcjellë fjalët që thoshin se ua ka thënë Veseli.

Veseli, zyrtarisht, ishte bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës në nëntor të vitit 2012.

Deri para kësaj kohe, ndonëse flitej shumë për të, kryetari aktual i PDK-së shfaqej rrallë në publik.

Një nga këto paraqitje ishte ajo në vitin 2008 kur ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës tha se SHIK-u kishte përfunduar misionin e tij dhe do të shuhej pas shpalljes së pavarësisë.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se qysh në vitin 2015 e ka ngritur si çështje zhvillimin e fenomenit të fajdeve përmes personave të lidhur me pushtetin, të përkrahur, sipas tij, edhe nga institucionet e sigurisë.

Zemaj ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta kryejnë punën e tyre me guxim profesional, duke mos rënë në ndikim të personave të caktuar.

Në më shumë se 90 përqind të rasteve, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, prokurorët në aktakuza nuk e identifikojnë pasurinë e paligjshme dhe nuk paraqesin kërkesa për konfiskim të saj.

“Pavarësisht faktit që kjo ka qenë në fuqi që nga viti 2013, në Kosovë është zbatuar jashtëzakonisht pak, ose mund të themi fare hiç. Në bazë të statistikave të IKD-së, që e monitoron sistemin e drejtësisë prej vitit 2013, mund të numërojmë ndoshta 1 milion apo 2 milionë euro që janë konfiskuar për gjithë këto vite, që është një shumë jashtëzakonisht e ulët”, ka thënë Ehat Miftaraj, drejtor i IKD-së.

Katër prej pesë personave të dyshuar për fajde dhe mashtrim, të arrestuar në fillim të javës, Prokuroria Themelore u ka caktuar nga një muaj paraburgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: Content is protected !!